Në katër vitet e fundit, 20 mijë pensionistë të moshës i janë shtuar skemës sociale në Kosovë.
Kjo rritje ka detyruar shtetin të zgjerojë buxhetin për këtë kategori. Kështu, rreth 300 milionë euro janë paraparë në buxhetin e këtij viti vetëm për pensione të moshës dhe kompensime.
Ekonomisti Shkumbin Misini thekson se tregu i forcës punëtore po zvogëlohet në mënyrë drastike. Ai vë në dukje se numri i pensionistëve mbi 65 vjeç është rritur për 48.8% në 13 vitet e fundit. Sipas tij, kjo situatë kërkon analiza të menjëhershme, pasi Kosova mund të përballet shpejt me shpenzime të mëdha sociale.
Vendi duhet ta ruajë fuqinë punëtore para se të kthehet në një shtet asistencë sociale, vlerësojnë ekspertët.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shprehet se Kosova po trashëgon shqetësimin e vendeve evropiane, ku barrat sociale ngarkojnë buxhetin në mënyrë të pakontrolluar. Ai propozon trajtim institucional të kësaj çështjeje për të mos penguar zhvillimin ekonomik, për të rritur produktivitetin dhe për të gjetur forma mbështetjeje.
Në total, për vitin e ardhshëm shteti ka paraparë 577 milionë euro për të gjitha kategoritë e pensioneve.