Sot shënohen 35 vjet nga vendimi i Kuvendit të Serbisë për të vënë nën masa të dhunshme Universitetin e Prishtinës, veprim që pasoi dy dekada të funksionimit të suksesshëm të këtij institucioni. Kjo nismë, e ndërmarrë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit, ishte pjesë e strategjisë për shkatërrimin e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë.
Pas përfundimit të semestrit veror të vitit akademik 1990/91, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Beogradit e shndërroi Qendrën Universitare në një institucion të dominuar nga kuadro serbo-malaziase. Kjo udhëheqje rriti kapacitetin për 923 studentë, duke i mbushur ato vende kryesisht me studentë të ardhur nga viset e ndryshme të Serbisë dhe të Malit të Zi.
Më 21 gusht 1991, Grupi i Helsinkit në Vjenë konstatoi se arsimi shqiptar në Kosovë ishte shkatërruar si pasojë e politikave të pushtetit serb. Megjithatë, si përgjigje ndaj këtyre masave përjashtuese, Universiteti i Prishtinës njoftoi më 14 shkurt 1992 rifillimin e mësimit në nivel universitar përmes modelit të njohur si "shkollat-shtëpi", proces i cili nisi zyrtarisht më 17 shkurt 1992.