Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë së partisë se Kuvendi i LDK-së do të mbahet në 31 janar. Vendimi u mor pas diskutimesh të hapura dhe të përgjegjshme, në përputhje me statutin dhe traditën demokratike të partisë.
Abdixhiku theksoi se Kuvendi është organi më i lartë ku merren vendimet për çështjet më të rëndësishme. "Kjo është mënyra jonë e veprimit; me rregull, me transparencë dhe me respekt për anëtarësinë. LDK i zgjidh çështjet e brendshme në organet e saj dhe para delegatëve të zgjedhur", shkroi ai në një postim në Facebook.
Ai e përshkroi procesin si shprehje të demokracisë së brendshme në një klimë politike të mbushur me tension dhe gjuhë përçarëse. LDK zgjedh, sipas tij, maturinë, qetësinë, dialogun e gjerë dhe besimin në institucionet e brendshme. "Debati është i shëndetshëm; përçarja pa debat dhe pa demokraci është dëm. Kuvendi i 31 janarit nuk është krizë, por mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe për të dalë më të fortë nga ky proces."
Abdixhiku rikujtoi se LDK ka kaluar sfida të shumta, por ka ruajtur gjithmonë demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Ai nënvizoi se partia nuk i shmanget përgjegjësisë, veçanërisht në momente të vështira. "Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. Kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh."
Kreu i partisë shprehu bindjen se pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat politike. Ai theksoi se prioriteti është uniteti i partisë, pa llogaritur fatin individual, përfshirë të tijin. Sipas një burimi, kjo mbledhje vjen pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku pritet votëbesim ndaj tij.