Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), zbuloi detaje nga diskutimi me kryeministrin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurtin, lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kjo ndodhi gjatë emisionit Rubikon në Klan Kosova.
Abdixhiku tregoi se e kishte pyetur Kurtin nëse takimet synojnë marrëveshje apo shkojnë drejt zgjedhjeve. "A i kemi këto takime sa për sy e faqe? Që bëhemi se po takohemi dhe në fund përfundojmë në zgjedhje dhe këtë punë e marrim vesh për pak ditë, apo do të shkojmë drejt zgjedhjes së presidentit?", tha ai.
Sipas Abdixhikut, ekzistojnë tri alternativa për zgjedhjen e presidentit:
- Imponimi i një kandidature, që çon në zgjedhje parlamentare. "Në qoftë se imponon kandidaturë, atëherë shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nënshtrim, nuk nënshtrohet askush", theksoi ai.
- Gjetja e një kandidati konsensual pa përkatësi partiake.
- Marrëveshja klasike politike mes partive.
Abdixhiku shtoi se Kurti ka siguruar se nuk ka qëllim për imponim. "Mu tha që jemi për këto të dyja. Preferojmë konsensusin e gjerë", u shpreh ai.