Administrata Tatimore u ka bërë thirrje subjekteve tatimpaguese të dorëzojnë deklaratat e padorëzuara për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, nëpërmjet sistemit e-Filing, jo më vonë se data 30 qershor 2026. Ky veprim është thelbësor për të përfituar nga fshirja e gjobave sipas ligjit nr. 86/2025.
Përfitimet nga ligji i ri
Ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” mundëson shuarjen e një sërë penalitetesh të vendosura automatikisht deri në fund të vitit 2024. Ndër gjobat që përfitojnë nga kjo lehtësi përfshihen:
• Shkeljet lidhur me pajisjet fiskale dhe moslëshimin e kuponit tatimor.
• Mosdeklarimet në afat dhe vonesat në deklarimin e të punësuarve.
• Dorëzimin e vonuar të vendimeve të ortakëve.
• Vonesat në dorëzimin e pasqyrave financiare.
• Gjobat e tjera administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë.
Administrata Tatimore thekson se përfitimi është i kushtëzuar. Përveç faljes së gjobave, ligji parashikon skema të ndryshme për shuarjen e detyrimeve kryesore, ku pagesa e menjëhershme e 50% të detyrimit principal mundëson faljen e 50% të mbetur të tij, me afat deri në fund të qershorit.