Pas reshjeve të dendura atmosferike që përfshinë Republikën e Kosovës gjatë ditës së sotme, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka raportuar se gjendja në nivel vendi është stabile, e qetë dhe plotësisht e menaxhueshme. Përmes një njoftimi zyrtar, institucioni bëri të ditur se strukturat operacionale, përfshirë Drejtoritë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), kanë realizuar ndërhyrje efikase në zonat e prekura.
Në rajonin e Gjakovës dhe Rahovecit, niveli i ujërave ka shënuar rënie. Autoritetet kanë konfirmuar se janë sanuar problemet e raportuara në objektet e banimit dhe shtretërit e lumenjve, duke përfshirë fshatin Pataqan i Ulët. Situata në këto zona vlerësohet si e qetë dhe nën kontroll. Ndërkohë, në Prizren dhe Suharekë, ekipet kanë trajtuar me sukses rastet e depërtimit të ujit në podrume, objekte banimi dhe lokale afariste, duke arritur ta stabilizojnë gjendjen.
Në kryeqytet, problematikat janë përqendruar në grumbullimin e ujit në zonën e Shkabajt dhe në autostradën Prishtinë–Shkup, në afërsi të Marigona Residence. Në këto pika, ekipet kanë ndërhyrë për të normalizuar qarkullimin e automjeteve dhe situatën në tërësi.
Strukturat e AME-së mbeten në koordinim të vazhdueshëm me Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe autoritetet komunale për të monitoruar zhvillimet në terren. Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti pritet të stabilizohet në ditët në vijim. Megjithatë, autoritetet theksojnë se do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi apo përkeqësimi eventual të situatës. Qytetarët janë ftuar që, për çdo emergjencë ose kërkesë për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.