Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, u rikthye në foltoren e Kuvendit pas një pauze prej një muaji, si pasojë e vendimit të Byrosë së Kuvendit ndaj tij. Në fjalën e tij, Shehaj e cilësoi si skandaloze pengimin e pjesëmarrjes së tij në seancën e kaluar, duke e akuzuar mazhorancën për përdorim arbitrar të Rregullores së Kuvendit dhe trajtim të institucionit si pronë private.
Sipas deputetit të opozitës, ndalimi i hyrjes së tij lidhej me vizitën e kryeministrit Edi Rama në sallë. Shehaj deklaroi se kryeministri po shmang përballjen me opozitën dhe theksoi se për dy muaj qytetarët kanë protestuar për dorëheqjen e tij. Ai e përshkroi kryeministrin si të lodhur, duke theksuar se ai u “plak brenda ditës”.
Në lidhje me mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Shehaj e vlerësoi atë si një zhvillim patetik, ku deputetët e mazhorancës qëndronin kokëulur. Ai gjithashtu shprehu kritika të ashpra ndaj sjelljes së kryeministrit Rama dhe të pranishmëve të tjerë, si Taulant Balla, duke i akuzuar për tallje me qytetarët në nevojë. Për më tepër, Shehaj përmendi mbrojtjen që mazhoranca i bëri me votë një zyrtareje të qeverisë, të cilën e cilësoi si të korruptuar.
Përditësime
Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, është rikthyer në sallën e seancave plenare nën masa të shtuara sigurie. Përpara mediave, Shehaj ironizoi mungesën e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si shkakun kryesor të rikthimit të tij. Në seancë është konfirmuar prania e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, nën drejtimin e Gazment Bardhit, ndërsa jashtë godinës së Kuvendit vijon protesta e qytetarëve.
Pas rikthimit në Kuvend, deputeti Agron Shehaj denoncoi marrjen me forcë të një dokumenti sekret lidhur me marrëveshjen me SHBA. Ai akuzoi ministrin Taulant Balla për jetesë në kullat ‘Ambasador 3’ me pasuri të padeklaruara dhe konfirmoi ndjekjen e rrugëve ligjore për zbardhjen e dosjes së ministres Belinda Balluku, duke pretenduar se qeveria po e mban atë të fshehtë nga publiku.