Ahmet Abedini, babai i Erisjano Abedinit dhe vëllai i Bujar Abedinit, të akuzuar nga SPAK për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, dëshmoi në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Ai tregoi se merret me shitjen e materialeve ndërtimi, si viktima, dhe posedon dy dyqane: një e punon vetë dhe tjetër bashkëshortja. Ditën e ngjarjes, Abedini kishte qenë në punë dhe më pas u nis për në Gjirokastër, ku shtroi nënën në spital.
Abedini pranoi konflikte me Çajup Selimin, duke thënë se ky i fundit i bënte telefonata anonime bashkëshortes së tij në çdo orë të ditës dhe natës, si dhe dërgonte mesazhe ngacmuese. Kishte pasur përplasje verbale dhe dy rrahje mes Selimit dhe djalit të tij, Erisjano Abedinit. Bashkëshortja kishte paraqitur padi në gjykatë, ndërsa rreth 5-6 muaj para ngjarjes palët kishin arritur marrëveshje në polici për të shmangur konfliktet.
Lidhur me vëllain Bujar Abedini, dëshmitari tha se banon në fshat, merret me blegtori dhe nuk kishte dijeni për telefonatat. Ai vetë kishte 10 ditë pa e takuar Bujarin, ndërsa nënën e shoqëronte në spital për shkak se vëllai ishte i zënë me bagëti.
Abedini mësoi për vrasjen rreth orës 12:00 të natës, kur shkuan në shtëpinë e tij. Ai u nis për në komisariat, ku e njoftuan zyrtarisht. Atje shpjegoi se kishte qenë në rrugë për nënën në spital. Erisjano Abedini ndodhej në Tiranë dhe erdhi pas 3-4 ditësh. Familja nuk mori pjesë në varrim për shkak se ishte në polici.