Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpriti sot fluturimin inaugurues të linjës ajrore AJet nga Aeroporti Sabiha Gökçen në Stamboll. Avioni u ul në orën 09:35, u prit me ceremoninë e water salute nga shërbimi zjarrfikës dhe vijoi me prerjen e shiritit në prani të përfaqësuesve të TIA-së dhe AJet-it.
Pasagjerët u mirëpritën me ëmbëlsira tradicionale. Në ceremoni morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kafán Atay, përfaqësues të institucioneve arsimore turke, Dhomës së Tregtisë dhe komunitetit të biznesit, duke theksuar lidhjet institucionale, arsimore dhe ekonomike mes dy vendeve.
AJet do të operojë pesë fluturime javore gjatë marsit, fluturime ditore nga prilli dhe 14 frekuenca javore në sezonin veror. Kjo linjë ofron lidhje të drejtpërdrejtë me një hub të rëndësishëm turk dhe fleksibilitet më të madh për pasagjerët.
Çmimet fillojnë nga 30 euro për një drejtim (për shembull, më 14 mars nga Rinasi në Sabiha Gökçen, variant bazë pa bagazhe). Kthimi dy ditë më vonë kushton 55 euro, me total 85 euro. Në prill, vajtja më 11 prill është 49 euro, kthimi 39 euro.
Drejt Stambollit operojnë tani tre kompani: Turkish Airlines (nga Aeroporti Ndërkombëtar i Stambollit, zëvendësoi Air Albania), AJet dhe Pegasus (nga Sabiha Gökçen). Air Albania, me aksionarë Turkish Airlines (49,12%), Albcontrol (~10%) dhe MDN Investment (~41%), pati probleme në nëntor.
Manjola Kaso, Drejtoreshë e Zhvillimit të Biznesit të Aviacionit në TIA, deklaroi: «Nisja e shërbimeve të AJet midis Tiranës dhe Stamboll Sabiha Gökçen përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis Shqipërisë dhe Turqisë. Stambolli është një hub strategjik me lidhje të shumta ndërkombëtare, dhe kjo linjë u ofron pasagjerëve tanë fleksibilitet më të madh dhe mundësi të reja udhëtimi.»
Tayyar Kafán Atay theksoi se inaugurimi i fluturimeve direkte të AJet midis Stambollit dhe Tiranës forcon më tej marrëdhëniet mes dy qyteteve.