Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, i cili ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2022.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se kjo rritje po ndikon drejtpërdrejt në transport, industri dhe konsumatorët në Kosovë. Kjo rrit kostot e prodhimit, shërbimeve dhe çmimet në treg.
Sipas AKB-së, nëse situata vazhdon, pritet presion i ri inflacionist dhe rritje e mëtejshme e çmimeve në vend.
AKB kërkon nga institucionet e Kosovës:
- Monitorim dhe mbështetje të tregut të derivateve;
- Transparencë më të madhe në formimin e çmimeve tavan nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit;
- Furnizim të rregullt të tregut vendor nga bizneset që merren me derivate.
Po ashtu, AKB vlerëson si të domosdoshme rritjen e vlerës sasiore të rezervave strategjike të derivateve. Kjo do ta përgatisë vendin për krizat energjetike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare. Stabiliteti energjetik dhe ekonomik është jetik për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.