Një aeroplan i vogël është rrëzuar në ujërat në perëndim të Nassau-t, kryeqytetit të Bahamasit, në zonën e Androsit Verior. Aksidenti ka lënë të vdekur të gjithë 10 personat që ndodheshin në bord. Ngjarja ndodhi në një ditë kur vendi po shënonte 53-vjetorin e pavarësisë.
Kryeministri i Bahamasit, Philip Brave Davis, bëri të ditur fillimisht se një person kishte mbijetuar, por më pas konfirmoi në një konferencë për shtyp se ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Davis shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke theksuar se kjo ditë festive është kthyer në një ditë zie kombëtare.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetin e viktimave, ndërsa procesi i identifikimit vijon. Sipas njoftimeve paraprake, dyshohet se mes pasagjerëve mund të kenë qenë edhe anëtarë të grupit muzikor Da Pond Band, të cilët po udhëtonin për një aktivitet festiv.
Në lidhje me këtë rast, qeveria ka marrë vendimin për të pezulluar përkohësisht fluturimet e linjës ajrore të përfshirë në aksident. Ekipet hetimore dhe autoritetet e aviacionit civil kanë nisur verifikimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat teknike që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues.