Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në autostradën A28, pranë qytetit Weeze në Holandën lindore. Një autobus turistik me targa austriake, i cili transportonte nxënës të një shkolle të mesme nga Gjermania, është përplasur me një furgon shpërndarjeje. Si pasojë e përplasjes së fortë, autobusi ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Në mjet ndodheshin më shumë se 50 persona. Sipas të dhënave të policisë së provincës Gelderland, rreth 20 pasagjerë kanë pësuar lëndime, kryesisht nga copat e xhamave të thyer. Tetë prej tyre, përfshirë drejtuesin e furgonit, janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital. Autoritetet njoftuan se disa nga të dërguarit në spital ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa të tjerët kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje për plagë të lehta.
Pamjet e shpërndara nga policia tregojnë ndërhyrjen e ekipeve të zjarrfikësve, të cilët kanë nxjerrë pasagjerët nga mjeti përmes çatisë së autobusit. Autostrada A28 është mbyllur në të dyja drejtimet për të mundësuar operacionin e shpëtimit dhe hetimet mbi rrethanat e ngjarjes.