Një aksident rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, rreth orës 06:55, në aksin rrugor Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Balldren, pranë mbikalimit të Paraburgimit, rreth 9 kilometra larg qytetit të Elbasanit.
Si pasojë të ngjarjes mbetën të plagosur tre persona, njëri prej tyre me plagë të shumta dhe fraktura, në gjendje të rëndë shëndetësore. Të lënduarit u transportuan me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore të specializuar.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një tentativë për parakalim, e cila ka sjellë përplasjen me një automjet tjetër, humbjen e kontrollit të drejtimit dhe daljen e mjetit nga rruga.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe autoambulancat, të cilat kanë kryer dokumentimin e ngjarjes dhe ndihmën e parë për të plagosurit. Hetimet po vijojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.