Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur sot në Prishtinë, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi në një punishte në Lagjen e Spitalit (rruga "A"), një i ri ka humbur jetën, ndërsa dy punëtorë kanë marrë lëndime. Incidenti ka nxitur reagime të shumta dhe thirrje për masa më të rrepta sigurie në kantieret e ndërtimit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë. Ai ka theksuar nevojën urgjente që Komuna e Prishtinës të shtojë kontrollet dhe inspektimet në të gjitha punishtet e kryeqytetit, me qëllim parandalimin e aksidenteve të tilla dhe garantimin e sigurisë së jetës për punëtorët.
Në reagimin e tij, Bajqinovci ka adresuar kritika ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka kërkuar nga i pari i kryeqytetit që prioritet të jetë zgjidhja e problemeve reale të qytetit dhe siguria e qytetarëve, duke vlerësuar si të panevojshëm angazhimin në tema të karakterit gjeopolitik në kurriz të çështjeve vendore.