Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim me përfaqësues të mërgatës, investitorë dhe politikanë amerikanë. Gjatë këtij organizimi, kryeministri vlerësoi rolin historik të mërgatës në përpjekjet për liri dhe shtetndërtim, duke theksuar se Republika e Kosovës tashmë ofron mundësi për zhvillim të qëndrueshëm.
Takimi u mbajt në Westchester, në rezidencën e Richard Lukajt, me mbështetjen e Data4X dhe Ed e Barbara Hammel. Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të ndryshme, mes të cilëve edhe ish-kryetari i Hartfordit, Luke Bronin. Diskutimet u përqendruan në mënyrat konkrete për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe rolin lehtësues që mund të luajë mërgata shqiptare në këtë proces.
Kurti theksoi se Kosova është një shtet sovran dhe demokratik, që përbën një partner të besueshëm për investitorët ndërkombëtarë. Ai bëri thirrje që mërgata të shfrytëzojë mundësitë për të investuar, duke nënvizuar ndryshimin paradigmatik: "Për dallim nga dekadat e kaluara, tash bashkatdhetarët nuk kanë nevojë të sakrifikojnë për të kontribuuar, sepse mund të investojnë për të fituar."