Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Gjermaninë me rastin e Ditës së Bashkimit, e cila festohet çdo 3 tetor. Në një postim në rrjetet sociale, ai kujtoi rëndësinë historike të 3 tetorit 1990, datë kur Gjermania Lindore (Republika Demokratike e Gjermanisë) iu bashkua Gjermanisë Perëndimore (Republikës Federale të Gjermanisë), duke i dhënë fund ndarjes së pasluftës.
Kurti vuri theksin te rëndësia e këtij ribashkimi, i cili pasoi rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Sipas kryeministrit, ky proces shënon një kapitull të rëndësishëm të historisë moderne politike të Evropës, duke dëshmuar fuqinë e bashkimit politik dhe kombëtar si rrugë drejt paqes dhe prosperitetit. Në vlerësimin e tij, bashkimi i Gjermanisë përfaqëson fitoren e demokracisë kundër regjimeve autoritare.
Kreu i qeverisë kosovare tërhoqi vëmendjen se lufta mes demokracive dhe autokracive nuk ka përfunduar. Ai deklaroi se betejat mes këtyre dy sistemeve vazhdojnë çdo ditë në një vijë fronti që shtrihet nga Rusia në Ukrainë, nga Britania e Madhe në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Turqi dhe në Ballkan. Duke mbyllur mesazhin, Kurti nënvizoi se politika pa njohjen e historisë mbetet e verbër dhe se pa një kujtesë të kthjelltë, aspiratat politike nuk mund të drejtohen drejt vullneteve të duhura për zhvillim.