Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Özlem Canel. Në qendër të bisedimeve ishte domosdoshmëria për t'i hapur rrugë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të partisë, Ahmeti vlerësoi se çdo vonesë në këtë proces e largon vendin nga perspektiva evropiane, duke dobësuar institucionet dhe duke krijuar pasiguri në rrafshin politik, ekonomik dhe shoqëror. Lideri i BDI-së nënvizoi se partnerët ndërkombëtarë duhet ta dëgjojnë me vëmendje alarmin mbi zhvillimet e brendshme në vend.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua Marrëveshjes së Ohrit. Ahmeti ngriti shqetësimin serioz lidhur me goditjet e vazhdueshme ndaj kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar atë si themelin e paqes, barazisë ndëretnike dhe funksionimit demokratik të shtetit. Sipas tij, çdo cenim i saj prek drejtpërdrejt stabilitetin e përgjithshëm dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Palët shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera, si sundimi i ligjit, siguria dhe sfidat rajonale. Takimi u mbyll me qëndrimin e përbashkët se rruga evropiane dhe Marrëveshja e Ohrit mbeten shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet demokracia dhe e ardhmja e vendit.