Alisson Becker, portieri brazilian i Liverpoolit, ka vendosur të vazhdojë karrierën te Juventus për tre sezone.
Ai ka arritur marrëveshje paraprake me klubin italian për një kontratë me pagë 5 milionë euro në sezon.
Sipas raportimeve të gazetës italiane Tuttosport, Becker ka udhëzuar stafin e tij për të organizuar një takim urgjent me drejtuesit e Liverpoolit. Synimi është negociimi i largimit drejt Torinos gjatë periudhës së transferimeve verore.
Lojtari shpreson që klubi anglez të respektojë dëshirën e tij, pas viteve të suksesshme në Anfield. Megjithatë, situata është e ndërlikuar, pasi Liverpooli ka aktivizuar opsionin e rinovimit të kontratës së tij deri në vitin 2027, për të parandaluar një largim falas.
Një faktor kyç është afrimi i pritshëm i portierit Giorgi Mamardashvili në radhët e Liverpoolit. Në Juventus, braziliani shihet si kandidati ideal për të sjellë eksperiencë dhe siguri në portë, si dhe për të mbyllur karrierën në nivelet më të larta të futbollit europian.
Negociatat pritet të përqendrohen te tarifa e transferimit. Juventusi nuk dëshiron shpenzime të mëdha, ndërsa Liverpooli e vlerëson portierin midis 15 dhe 20 milionë eurove. Becker pret të luajë rol vendimtar për të bindur klubin anglez të ulë pretendimet financiare dhe të realizojë transferimin në Serie A.