Pas deklaratave të zyrtarëve shqiptarë mbi ndikimin e jashtëm në protestat që po zhvillohen në Tiranë, Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka publikuar një reagim zyrtar. Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se përveç Iranit dhe vendeve fqinje, edhe Kremlini është i përfshirë në financimin dhe destabilizimin e vendit përmes protestave që janë përshkallëzuar në akte dhune kundër policisë.
Në përgjigjen e saj, përfaqësia diplomatike ruse shprehu habinë ndaj këtyre akuzave, duke i cilësuar ato si plotësisht të pabaza. Sipas deklaratës, Rusia zbaton me rreptësi parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të huaja dhe respekton zgjedhjen legjitime të popullit shqiptar.
"Me keqardhje vërejmë se kjo nuk është hera e parë që politikanët shqiptarë janë përpjekur t'i imponojnë publikut vendas në mënyrë të pabazë idenë e të ashtuquajturit ‘ndikim dashakeq’ të Rusisë", thuhet në reagimin e ambasadës. Institucioni diplomatik kërkoi nga përfaqësuesit e qeverisë një qasje më të përgjegjshme dhe përmbajtje nga retorika që kërkon armiq në skenën politike vendase.