Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka takuar më 23 shkurt 2026 kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, ambasadori shkruan se e ka përgëzuar Haxhiun për zgjedhjen në detyrë dhe ka përshëndetur përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai shton se kanë diskutuar për zgjedhjen e ardhshme të presidentit dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë midis parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Haxhiu ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në fazat kyçe të zhvillimit të saj. Ajo ka theksuar progresin në konstituimin e institucioneve dhe kalimin e fazave të rëndësishme. Ambasadori ka vlerësuar efikasitetin e treguar nga Haxhiu në funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë procedimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit kanë konfirmuar dëshirën për thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Ky takim vjen në kontekstin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, ku sipas Kushtetutës, procesi duhet të nisë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale Vjosa Osmani, e zgjedhur më 4 prill 2021. Dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit imponon zgjedhje të parakohshme.