Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi një takim me përfaqësues të Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë. Në fokus të bisedimeve ishte ndikimi i këtyre zhvillimeve mbi funksionimin e institucioneve, mbrojtjen e të drejtave të individit dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë.
Gjatë takimit u vu theksi te rëndësia e një dialogu gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrjes kuptimplotë të të gjitha palëve, përfshirë institucionet e drejtësisë dhe aktorët e tjerë të sistemit, në vendimmarrjet që ndikojnë në shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut.
Takimi u mbajt në një moment ndjeshmërie për sistemin e drejtësisë, lidhur me përplasjet mbi çështjen e pagave dhe refuzimin e tryezës së thirrur nga kryeministri Edi Rama. Këto përplasje janë shoqëruar me bojkotime në punën e gjyqësorit, ndërkohë që përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kërkuar që çështja të trajtohet në përputhje me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.