Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, vizitoi Kryeministrinë në Tiranë mbrëmjen e të mërkurës. Ajo u prit në hyrje nga kryeministri Edi Rama.
Pamjet e xhiruara rastësisht me një telefon celular në zonën e parkut të Piramidës mbërritën në redaksinë e TV Klan. Ato tregojnë momentin e hyrjes së ambasadores në godinë bashkë me kryeministrin.
Guilfoyle njihet si figurë e afërt me presidentin amerikan Donald Trump. Ajo ka bashkëjetuar për një periudhë me djalin e tij, Donald Trump Jr., dhe konsiderohet pjesë e rrethit të ngushtë të Trump në politikën amerikane.
Vizita nuk u njoftua zyrtarisht. Kryeministria refuzoi të komentojë takimin, ndërsa Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ka lëshuar deklaratë.
Sipas verifikimeve, ambasadorja nuk u shoqërua nga personeli i ambasadës amerikane në Tiranë. Takimi u zhvillua pa praninë e tyre, larg vëmendjes publike.