Gjatë orëve të natës, anija civile e transportit Yanina, në pronësi të kompanisë shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom, u godit dhe u fundos në Detin e Zi, pranë qytetit të Novorossiysk. Lajmin e bëri të ditur drejtori i kompanisë, Alexei Likhachev, i cili deklaroi se sulmi është kryer nga dy dronë detarë ukrainas.
Sipas njoftimit zyrtar, në bordin e anijes ndodheshin 17 anëtarë të ekuipazhit, të cilët kanë arritur t'i mbijetojnë sulmit. Anija ishte duke transportuar mallra të ndryshme, ku përfshiheshin ushqime të ngrira dhe materiale ndërtimi. Lidhur me këtë ngjarje, Alexei Likhachev e ka cilësuar incidentin si një akt piraterie dhe grabitje të armatosur në det.
Pretendimet për sulmin janë paraqitur nga pala ruse dhe deri në këto momente nuk ka pasur një reagim apo konfirmim zyrtar nga autoritetet ukrainase. Ngjarja shënon një tjetër zhvillim në rajonin e Detit të Zi, ku Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar veprimet ushtarake kohët e fundit, duke shkëmbyer akuza të ndërsjella mbi përdorimin e anijeve civile për mbështetjen logjistike të operacioneve ushtarake.