Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u anulua seanca e së hënës në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje. Ngjarja lidhet me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin Bechtel & Enka në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, e njohur si autostrada Arbën Xhaferi.
Shkak për anulimin e seancës është mospërfundimi i ekspertizës financiare, e cila konsiderohet dokument kyç për shqyrtimin e provave. Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, u konfirmua se seanca nuk mbahet deri në pranimin e kësaj ekspertize. Seanca e radhës do të caktohet pas përfundimit të saj.
Pal Lekaj akuzohet në cilësinë e ish-ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha si këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri si sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie dhe Besim Tahiri si drejtor i Prokurimit Publik. Prokuroria i ngarkon ata me keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë procesit të prokurimit publik.
Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, refuzoi kërkesën e Eset Berishës për përjashtimin e Violeta Namani-Hajras nga gjykimi. Kjo kërkesë u parashtrua në kuadër të rigjykimit.
Më 31 janar 2024, Gjykata Themelore i shpalli fajtorë të akuzuarit dhe i dënoi me gjithsej 10 vjet e 3 muaj burgim. Konkretisht, Pal Lekaj u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv dhe ndalim të ushtrimit të funksionit publik për 3 vjet e 6 muaj. Eset Berisha mori 3 vjet e 3 muaj burgim dhe ndalim funksioni për 3 vjet. Nebih Shatri dhe Besim Tahiri u dënuan nga 1 vit e 8 muaj burgim secili, me ndalim funksioni për 2 vjet. Gjykata e Apelit e ktheu rastin për rigjykim, duke kërkuar shqyrtim të plotë të provave.