Arben Malaj, ish-ministër i Financave, foli në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN për ftesën e Donald Trump-it drejtuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për administrimin e Gazës.
Ai theksoi se kjo nuk është nismë personale, por ftesë shtetërore e dërguar për mbi 100 vende. Sipas Malajt, Rama po përpiqet të krijojë mite për të larguar vëmendjen nga problemet reale brenda vendit, si përmbytjet dhe zvarritja e reformave.
Malaj krahasoi situatën me rastin e kancelarit gjerman Gerhard Schröder, i cili fitoi mandatin e dytë falë angazhimit të drejtpërdrejtë gjatë përmbytjeve në Gjermani. Ai vuri në dukje se, pavarësisht përmasave, gjatë përmbytjeve në Shqipëri me humbje të mëdha, nuk është e natyrshme që një kryeministër të largohet për tre ditë për të marrë një medalje.
Ai ngriti pyetje për medaljen, e lidhur me kontratën e Smart City-së, për të cilën Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe NATO shprehin rezerva të mëdha në fushën e sigurisë. Malaj pyeti pse Rama qëndroi tre ditë atje duke bërë batuta me gazetarët.
Sipas tij, vendi nuk e meriton këtë model qeverisjeje, papërgjegjësi dhe fushatë mitizimi, e cila çmitizon Ramën brenda vendit. Ai parashikoi se ata që nuk ia thonë në sy do t'i ngrihen kundër kur pushteti të dobësohet.
Malaj akuzoi kryeministrin se po kërcënon opozitën dhe ushqen një klimë ku mbizotëron koncepti i "armikut politik", jo i kundërshtarit. Ai e krahasoi me praktikat e mëparshme dhe apeloi për dialog e bashkëpunim në reformën zgjedhore, duke thënë se nuk mund të humbasin kohë me kërcënime, por duhet të sigurojnë zbatim të reformave.