Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, vijoi turin e takimeve me bazën e mbështetësve të partisë, duke u ndalur më 18 janar 2026 në Lezhë. Atje u zhvillua një takim me strukturat dhe aktivistët e PD-së.
Fjalimin hapës e mbajti Arbër Kola, anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Kola foli për angazhimin e tij politik dhe për akuzat që i janë bërë për shkak të pozicionimeve të tij brenda partisë. Ai theksoi se është aktivist dhe anëtar i PD-së, duke mohuar zërat që e kanë quajtur “të shitur” apo “të blerë” dhe në shërbim të kryeministrit Edi Rama.
“Unë jo vetëm që jam demokrat, por jam edhe biri i një prej themeluesve të PD-së, dega Mirditë. Kam marrë pjesë në qindra organizime, tubime, protesta dhe fushata, të gjitha me një qëllim të përbashkët: largimin e Edi Ramës dhe kthimin e PD-së në pushtet”, u shpreh Kola.
Ai deklaroi se ndodhet në këtë takim për të përcjellë mesazhin e bashkimit dhe rritjes së mbështetjes për Partinë Demokratike. Sipas tij, ajo që e ka mbajtur peng partinë ka qenë mungesa e përballjes me të vërtetën. Kola përmendi koston personale të angazhimit të tij, si heqjen e bursës së studimit dhe arrestimin.
Kola iu drejtua kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke rikujtuar premtimet për fundin e “kryetarokracisë”, njohjen e votës dhe marrjen e përgjegjësisë për humbjet zgjedhore. Ai shprehu se nuk pret më justifikime apo ankesa për vjedhje votash dhe se opozita duhet të veprojë për të sjellë ndryshimin.
Sipas Kolës, në një moment kur qeveria, siç u shpreh ai, është e përfshirë në afera dhe korrupsion, opozita duhet të jetë e bashkuar dhe e vendosur për ta rrëzuar atë.
Përditësime
Arbër Kola i tha Sali Berishës: «Doktor, kur u riktheve në 2021, erdhe me një mea culpa, thë që do të marrë fund kryetarokracia, thë që do të njoh votën...».