Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, në një intervistë për Top News, ka shpjeguar rrugën e reformës territoriale në 61 bashkitë e vendit. Ai theksoi se komisioni, i cili aktualisht përbëhet vetëm nga anëtarë të Partisë Socialiste, do të ndahet në tre grupe pune.
Secili grup do të zhvillojë dëgjesa në nga katër qarqe secili, ku do të përfshihen banorët, përfaqësues të bizneseve, stafe akademike dhe aktorë të tjerë lokalë. Të dhënat e mbledhura do të analizohen për të vlerësuar se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në strukturën aktuale të bashkive.
“Janë dy shtyllat kryesore ku do të punohet: eficienca e bashkive dhe shërbimet që ato ofrojnë”, tha Mazniku. Parimi themelor është që shërbimet të jenë sa më pranë qytetarëve, me mundësi reale për t’i ofruar në mënyrë funksionale. “Duhet parë se ku është pika më e afërt e bashkimit dhe nëse një strukturë e caktuar është e aftë ta ofrojë shërbimin”, u shpreh ai.
Sa i përket përfshirjes së opozitës, Mazniku deklaroi se Partia Demokratike nuk është paraqitur në tre mbledhje radhazi të komisionit, si dhe në Konferencën e Kryetarëve. “Nuk kemi kohë për të humbur. Ose reforma mbyllet në korrik, ose shtyhet pas vitit 2027, duke humbur një dekadë të tërë”, tha ai.
Reforma lidhet ngushtë me integrimin europian, pasi ekziston rreziku i humbjes së financimeve. “Në vende të tjera u deshën deri në 10 vite për të përfituar fondet për bashkitë. Financimet nuk jepen automatikisht dhe kërkojnë kapacitete për projekte të zbatueshme. Nëse e bëjmë reformën sot, pas dy ose tre vitesh bëhemi gati për t’i përthithur këto fonde nga Bashkimi Europian”, përfundoi Mazniku.