Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rënda të Kushtetutës, ligjit dhe rregullores së Kuvendit. Përmes një video-adresimi, ai theksoi se ngjarjet e fundit kanë tejkaluar çdo normë, duke nxjerrë në pah, siç u shpreh ai, "anën e errët" të atyre që janë zgjedhur nga qytetarët.
Sipas Gjinit, veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie të qëllimshme për të blerë kohë, me synimin përfundimtar që zgjedhjet të caktohen më 27 dhjetor. Ai deklaroi se partia në pushtet ka uzurpuar institucionet e vendit dhe po vë në rrezik serioz të ardhmen e shtetit.
"Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë me 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit", ka deklaruar Gjini.
Në mesazhin e tij, Gjini u bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë shtetin dhe demokracinë, duke kërkuar angazhimin e të gjithëve përballë asaj që ai e quajti një proces shkatërrues. Ai këshilloi qytetarët që të mos u japin më besimin atyre që, sipas tij, nuk kanë plan të ndalen në veprimet që po dëmtojnë institucionet e Kosovës.
Përditësime
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ashpërsuar retorikën ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bërë thirrje direkte qytetarëve që të mos votojnë më këtë subjekt politik. Gjini deklaroi se përfaqësuesit e kësaj partie nuk e duan Kosovën dhe as qytetarët e saj. Ai theksoi se veprimet e fundit në Kuvendin e Kosovës kanë tejkaluar çdo shkelje procedurale, duke u shndërruar në një shpërfillje të plotë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.