Analisti i çështjeve politike, Dritëro Arifi, në një deklaratë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ka vlerësuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është elementi përcaktues për rrugën e Kosovës drejt Aleancës Veriatlantike. Sipas tij, drita e gjelbër nga Uashingtoni është një kusht i domosdoshëm që nuk mund të zëvendësohet vetëm nga zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse.
Arifi argumentoi se edhe nëse Kosova do të arrinte një nivel të lartë përgatitjeje ushtarake, të krahasueshëm me vende si Franca apo Gjermania, kjo nuk do të mjaftonte për anëtarësim pa një mbështetje të qartë amerikane. Ai theksoi se procesi i anëtarësimit tejkalon aspektin thjesht ushtarak, duke u ndërlidhur ngushtë me qëndrimet politike të shteteve anëtare të NATO-s.
“Pa thënë ShBA-ja ‘po’, edhe nëse ne e kishim pasur ushtrinë, po themi, të Francës apo të Gjermanisë me përgatitje, ne nuk mund të bëhemi anëtar i NATO-s”, deklaroi Arifi.
Sipas analizës së tij, pengesat politike që mund të hasen në këtë proces mund të zgjidhen, por mungesa e një “po-je” të fuqishme nga ana e ShBA-së e bën anëtarësimin të parealizueshëm. Ai theksoi rëndësinë e këtij qëndrimi në raport me shtetet anëtare të aleancës të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se ndikimi amerikan është faktori kyç që ndihmon në kapërcimin e këtyre sfidave diplomatike.