Sulmuesi Arijon Ibrahimoviq ka vendosur t'i qëndrojë besnik Gjermanisë U21, duke pranuar ftesën zyrtare për ndeshjet e radhës kualifikuese. Lojtari, i cili është në pronësi të Bayernit dhe aktualisht i huazuar te Augsburgu, ka qenë objekt interesi nga përfaqësuesja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Megjithatë, përfshirja e tij në listën e trajnerit për takimet ndaj Letonisë, Maltës dhe Gjeorgjisë bën që një kalim i mundshëm te përfaqësueset shqiptare të mos jetë i realizueshëm në të ardhmen e afërt.
Në listën e publikuar së fundmi nga Gjermania U21 bien në sy edhe emra të tjerë si Noahkai Banks, Mert Komur, Tom Bischof, Paris Brunner dhe Nicolò Tresoldi. Në të njëjtën kohë, mediat vërejnë mungesën e sulmuesit Nelson Vaiper, i cili është huazuar nga Mainz te Sturm Graz. Mungesa e tij në grumbullimin gjerman ka ngjallur diskutime rreth mundësive për Shqipërinë, duke qenë se lojtari ka qenë pjesë e rregullt e ekipeve zinxhir të Gjermanisë për dy vjet.