Arlinda Zekaj dyshohet se u vra më 25 tetor nga kunati i saj, me goditje me një mjet të fortë. Sipas Prokurorisë, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia. Vëllai i saj, Alban Zekaj, e përkujtoi motrën në një postim në Facebook.
Në postim, ai shkroi: “Ahh bre Linda, zemra nuk po ma mban me shkru për vrasjen tande. Ishalla Zoti na takon në Xhehnet, motrushe”.
Zekaj ishte kthyer në shtëpi pasi kishte raportuar dhunë në familje. Pas raportimit, ish-bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar.
Më 22 tetor, Zekaj i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, për dështime në trajtimin e rasteve të saj. Ajo kishte kërkuar gjithashtu zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.