Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kërkuar zyrtarisht largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku nga pozicioni i tij. Gjatë një interviste në emisionin "Pressing" në televizionin T7, Zemaj deklaroi se dorëheqja është hapi i domosdoshëm pas dështimeve të njëpasnjëshme në rezultatet zgjedhore.
"Vazhdoj me mendu që ata që marrin rezultat të dobët, një herë, dy herë, tri herë – duhet me lëshu rrugë dhe këtë nuk e fshehi", u shpreh Zemaj, duke shtuar se ky qëndrim është pjesë e bindjeve të tij të hershme politike mbi përgjegjësinë në udhëheqje.
Sipas Zemajt, Lumir Abdixhiku ka qenë një prej kryetarëve të LDK-së që ka gëzuar lirinë më të madhe dhe mbështetjen e pakursyer për të menaxhuar strukturat e partisë, pa pengesa nga paraardhësit. Ai nënvizoi se "karrigia e kryetarit të LDK-së është e rëndë dhe duhet me matë veten shumë para se me synu atë post".
Në lidhje me marrëdhënien e tij me Abdixhikun, Zemaj sqaroi se nuk është penduar për mbështetjen që i ka dhënë në të kaluarën, por vlerësoi se kryetari aktual nuk ka më çfarë të ofrojë për zhvillimin e mëtejshëm të partisë. Këto deklarata vijnë si pjesë e diskutimeve të vazhdueshme brenda LDK-së lidhur me nevojën për ndryshime në udhëheqje pas performancës së fundit politike.