Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në qytetin e Ferizajt, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të vjedhjes së rëndë. Aksioni policor u zhvillua më 5 shtator, kur Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan, realizoi një kontroll në një lokacion brenda qytetit të Ferizajt.
Të arrestuarit janë shtetasit A.M., 39-vjeç, dhe B.K., 31-vjeç. Sipas njoftimeve zyrtare të policisë, të dyshuarit ndërlidhen me një sërë vjedhjesh në lokacione të ndryshme. Hetimet kanë konfirmuar se personat në fjalë dyshohet se kanë kryer vjedhje të rënda në objekte fetare në territorin e Komunës së Lipjanit, si dhe janë përfshirë në rastin e vjedhjes së raportuar më 5 shtator në xhaminë e fshatit Nikadin në Ferizaj.
Sipas të dhënave, në rastin e xhamisë në Nikadin, njëri prej të dyshuarve kishte depërtuar në objekt dhe kishte hapur kasafortën duke përdorur mjete të forta për të marrë para. Pas arrestimit, të dyshuarit janë dërguar te Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan për të vijuar me procedurat e mëtejme ligjore. Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për zbardhjen e këtyre rasteve dhe parandalimin e veprave të ngjashme penale në të ardhmen.