Autoritetet e sigurisë në Kosovë kanë vënë në pranga Fehim Salin, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA). Arrestimi është realizuar në pikën kufitare në Merdare në një operacion të përbashkët të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes gjyqtarit të procedurës paraprake Kushtrim Shyti, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, e cila do të zgjasë deri më 13 shtator 2026. Sipas dosjes së prokurorisë, hetimet ndaj të dyshuarit kanë nisur pas informacioneve të siguruara nga AKI më 20 qershor 2025.
Sipas aktvendimit, Fehim Sali dyshohet se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me zyrtarin e BIA-s, Zhelimir Matoviq, i identifikuar nga AKI si pjesë e shërbimit serb që nga viti 2002. Në dëshmitë e paraqitura, pretendohet se i dyshuari ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka identifikuar dhe fotografuar zyrtarë të AKI-së, si dhe ka propozuar persona të tjerë për rekrutim nga shërbimi inteligjent serb. Televizioni Dukagjini ka bërë publike një fotografi ku pretendohet se shfaqet Fehim Sali së bashku me Zhelimir Matoviqin gjatë një takimi në Serbi.
Gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarit, janë sekuestruar 39.500 euro, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë. Prokuroria lidh një pjesë të mjeteve monetare me aktivitetin e dyshuar. Fehim Sali, përveç punës si mësimdhënës në sistemin arsimor serb në Kosovë, më herët ka shërbyer edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës së Kosovës. Rasti i tij pason procedurat penale të ngjashme ndaj shtetasve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.