Shtetasi Moisi Habilaj, 48 vjeç, është arrestuar mbrëmjen e së premtes në Borsh, në kuadër të një operacioni policor të koduar "Metodat". Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Drejtësinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policsë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh, ku dyshohet se qëndronte prej kohësh. Në momentin e ndalimit, 48-vjeçari ishte përpjekur të shmangte identifikimin duke përdorur kapele dhe duke mbajtur mjekër. Arrestimi është bërë për qëllime ekstradimi drejt Italisë, ku ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Katanias me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Krahas dënimit nga autoritetet italiane, ndaj Habilajt u ekzekutua edhe masa e sigurisë "Arrest në burg" e vendosur nga Gjykata për Krime të Rënda në vitin 2018, për vepra penale që përfshijnë prodhimin, shitjen dhe trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë të njëjtit operacion, policia ndërmori masa edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë:
- Arrestimin në flagrancë të shtetasit E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë.
- Procedimin në gjendje të lirë të shtetasit italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.
Materialet procedurale janë referuar në prokurori për veprime të mëtejshme hetimore.
Përditësime
Hetimet e Policisë së Shtetit zbardhën detajet e arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh. Operacioni u finalizua falë identifikimit të shtetasit italian Salvatore Forte, 70 vjeç, banues në Catania, i cili çoi autoritetet te vendndodhja e Habilajt. Në të njëjtin aksion u arrestua edhe Eduart Ahmeti, 46 vjeç. Habilaj ishte shpallur në kërkim pasi kishte shkelur masën e sigurisë 'arrest shtëpie' në Itali. Lokali ku u zhvillua operacioni dyshohet se është në pronësi të familjarëve të Habilajt.