Autoritetet britanike, në bashkëpunim me Interpol Tirana, BKH dhe skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve pranë NCA, kanë lokalizuar dhe arrestuar në Londër 35-vjeçarin Korado Gështënja. I dyshuari ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa operacioni i arrestimit kishte si qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë për t'u përballur me drejtësinë. Sipas dokumenteve të gjykatës "Westminster Magistrate Court", Gështënja përdorte në Britaninë e Madhe identitetin e rremë James Martin, si dhe mbiemrin Kështenja.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, të miratuar nga GJKKO, i arrestuari dyshohet për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A nga Ekuadori. Në seancën gjyqësore, përfaqësuesi i shtetit shqiptar deklaroi se Gështënja dyshohet se ka marrë pjesë në vëzhgimin dhe rrëmbimin e Jan Prengës më 17 janar 2020, në zonën e Kamzës. Viktima u dërgua më pas në një resort në Shijak, ku u mbajt peng dhe u torturua deri në vdekje, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.
Prokuroria ka vlerësuar se rrëmbimi ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ngjarje në të cilën rezulton se ka qenë i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Në dosje përmendet gjithashtu si i dyshuar edhe Dritan Rexhepi. Korado Gështënja, i cili banonte në St Leonards-on-Sea, mbahet aktualisht në paraburgim në Londër. Seanca e ardhshme për procedurat e ekstradimit është caktuar të mbahet më 2 shtator 2026, ora 10:00.
Përditësime
Skuadra kombëtare britanike e ekstradimeve në National Crime Agency (NCA) zbuloi se Korado Gështënja operonte në Angli nën identitetin e rremë 'James Martin'. Aktualisht, procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë po zhvillohen pranë Westminster Magistrate Court.