Një 30-vjeçar nga Vlora, i identifikuar si Klevi Kananaj, u arrestua në qytetin bregdetar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Arrestimi ndodhi më 6 maj 2026, si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në bashkëpunim me Drektorinë e Forcës së Posaçme Operacionale (DFPO).
Ai akuzohet për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike", sipas urdhrit të lëshuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle më 3 mars 2026. Dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për të trafikuar 82.84 kg kokainë, e fshehur në një kontejner në portin e Vigos. Lënda narkotike u sekuestrua më 5 shkurt 2026, ndërsa në flagrancë u arrestuan dy shtetas të tjerë gjatë përpjekjes për të nxjerrë ngarkesën.
Nga hetimet, roli i Kananajt ka qenë vëzhgimi i kontejnerit nga jashtë terminalit portual. Pas sekuestrimit, ai u largua fillimisht drejt Katalonjës dhe, 11 ditë më vonë, drejt Italisë. Arrestimi provizor u bë me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, ndërsa procedurat vijojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Ngjarja u finalizua në fazën e 93-të të operacionit të koduar Operacionalja, duke theksuar bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve shqiptare dhe spanjolle.