Altin Alla, 54 vjeç, punonjës i repartit të oksigjenit në Spitalin e Lushnjës, u arrestua mëngjesin e së premtes nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë. Ai u konfliktua në ambientet e spitalit me mjekun Doris Sholla, 31 vjeç, të Urgjencës në të njëjtin spital.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, 12 shkurt 2026, për motive të dobëta. Sipas deklaratës së Altin Allas në polici, mjeku Doris Sholla e thërriste qëllimisht gruan e tij, infermiere në spital, në orare të ndryshme pune, çka solli debatin verbal dhe përleshjen fizike.
Policia kreu veprimet e para hetimore dhe e çoi Altin Alla-në në komisariat. Ai banon në Lushnjë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lushnjës për veprime të mëtejshme.
Në njoftimin zyrtar thuhet: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin A. A., 54 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës (oksigjenist) në Spitalin e Lushnjës, pasi është konfliktuar në ambientet e spitalit, me shtetasin D. Sh., 31 vjeç, mjek në këtë spital, për motive të dobëta.”