Arsenali ka kaluar në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve për herë të tretë radhazi, duke mposhtur Bayer Leverkusen me rezultat të përgjithshëm 3-1.
Ndeshja e parë në Gjermani u mbyll me barazim 1-1, ndërsa e dyta në stadionin Emirates të Londrës përfundoi 2-0 për londinezët. Skuadra e trajnerit Mikel Arteta, që kryesoi fazën e grupeve, bëri një paraqitje bindëse.
Në minutën 36 të pjesës së parë, Eberechi Eze shënoi golin e parë me një goditje nga distanca, duke dërguar topin në këndin e sipërm të portës së Janis Blaswich. Para këtij goli, Arsenali krijoi raste të rrezikshme: në minutën 29, Leandro Trossard gjuajti nga brenda zonës, ndërsa në 32, Ben White u ndal nga një pritje e portierit gjerman.
Në pjesën e dytë, Declan Rice dyfishoi epërsinë në minutën 63 me një goditje nga jashtë zonës. Kai Havertz mendoi se kishte shënuar golin e tretë, por goli u anulua nga VAR për prekje me dorë. Bayer Leverkusen tentoi të reagojë me ndryshime taktike, por nuk arriti të kërcënojë seriozisht.
Në çerekfinale, Arsenali do të luajë ndaj Sportingut të Lisbonës, që eliminoi Bodo/Glimt me rezultat 5-3 pas vazhdimeve.