Pas spekulimeve të shumta lidhur me të ardhmen e Vinicius Junior, Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht tërheqjen nga gara për të siguruar shërbimet e yllit brazilian. Megjithëse lojtari po hyn në vitin e fundit të marrëveshjes së tij aktuale me Real Madridin, klubi spanjoll ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë atë gjatë kësaj vere.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përfshirë Sky Sports dhe Marca, trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, e vlerëson lart kontributin e brazilianit dhe e sheh atë si një nga shtyllat kryesore të skuadrës për sezonet në vazhdim. Presidenti i klubit, Florentino Perez, është përfshirë personalisht në procesin e negociatave për të siguruar nënshkrimin e një kontrate të re. Bisedimet për momentin janë përqendruar në detajet financiare, përfshirë pagën dhe të drejtat e imazhit të lojtarit.
Ndërkohë, Arsenali ka ndryshuar strategjinë e tij në tregun e transferimeve, duke u përqendruar te alternativa të tjera për përforcimin e repartit ofensiv. Klubi londinez, i cili ditë më parë zyrtarizoi blerjen e sulmuesit grek Christos Tzolis nga Club Brugge për shumën e 40 milionë eurove, po shqyrton tashmë emrin e Julian Alvarez, sulmuesit të Atletico Madridit.
Nga ana tjetër, Real Madridi po vijon punën edhe për objektiva të tjerë në merkato, teksa thuhet se janë afër finalizimit të marrëveshjes me Yan Diomande nga RB Leipzig dhe mbeten të interesuar për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri.
Vinicius Junior, i cili iu bashkua madrilenëve nga Flamengo në vitin 2018, ka zhvilluar më shumë se 375 ndeshje me fanellën e klubit, duke fituar ndër të tjera tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe dy Kupa të Botës për Klube. Pavarësisht vonesave në negociatat për rinovimin, palët mbeten të fokusuara në arritjen e një marrëveshjeje për të shmangur largimin e tij si lojtar i lirë në verën e vitit 2027.