Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka bërë publik refuzimin e ftesës për të marrë pjesë në aktivitetin festiv të Partisë Socialiste, që mbahet këtë të premte në sheshin Italia me rastin e 35-vjetorit të themelimit.
Në një reagim publik, Dade e cilësoi organizimin si një "antimiting" që përfaqëson tjetërsimin e vlerave të së majtës. Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë, duke theksuar se sistemi i dikurshëm që socialistët kanë luftuar gjatë tranzicionit, është betonizuar nën qeverisjen aktuale.
"Sot, socialistët e vërtetë nuk gjenden në antimitingun e thirrur nga lart. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i të majtës, në sheshin ku prej 13 ditësh rinia po proteston për dinjitet", u shpreh Dade. Sipas saj, protesta e të rinjve nuk është kundër së majtës, por një revoltë për barazi sociale dhe kundër zaptimit të partisë, duke e krahasuar gjendjen aktuale me atë të Partisë Demokratike në vitet '90.
Ish-ministrja kritikoi gjithashtu figurat historike të partisë që kanë pranuar të marrin pjesë në aktivitet, duke i cilësuar si të motivuara nga interesa personale dhe kompromise të çastit. Dade bëri thirrje për një "të majtë të rilindur" me moral dhe integritet, duke deklaruar se vendi i saj ndodhet pranë qytetarëve që kërkojnë ndryshim.