Qeveria austriake ka prezantuar programin financiar “Zukunftsdepot” (Fondi i së Ardhmes), përmes të cilit çdo fëmijë i lindur nga 1 janari 2027 do të përfitojë një shumë fillestare prej 500 eurosh nga shteti. Zbatimi i programit parashikohet të nisë më 1 korrik 2027.
Shuma nuk do t’u transferohet drejtpërdrejt prindërve, por do të investohet në një llogari të veçantë në emër të fëmijës, me synimin që vlera e saj të rritet me kalimin e viteve.
Prindërit, gjyshërit dhe familjarët e tjerë do të mund të kontribuojnë në fondin e fëmijës. Sipas planit, kontributet mund të arrijnë deri në 5.000 euro në vit për secilin fëmijë.
Mjetet e grumbulluara parashikohet të mund të tërhiqen pa tatim pasi përfituesi të mbushë 18 vjeç. Ato mund të përdoren për financimin e studimeve, investime personale ose për të ndihmuar në blerjen e një prone.
Kancelari austriak Christian Stocker ka thënë se synimi i nismës është t’u krijojë të rinjve mundësi më të mira financiare në fillim të jetës së tyre të pavarur. Sipas burimeve, programi synon gjithashtu të nxisë kulturën e kursimit dhe investimet afatgjata.
Nisma parashikohet të jetë një instrument mbështetës për fëmijët dhe familjet. Hollësitë e zbatimit do të përcaktojnë mënyrën e përfitimit dhe administrimit të fondeve.