Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë. Ky proces përfshin tregtimin me shumicë dhe pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes. Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në këtë treg janë aktualisht nën monitorim.
Përmes këtij monitorimi synohet mbrojtja nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve. "Çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore", thuhet në njoftimin e autoritetit.
Autoriteti shpjegon se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht për shkak të ofertës dhe kërkesës, kostove të përpunimit si dhe zhvillimeve ekonomike e gjeopolitike. Pritet që luhatjet në tregun vendor të reflektojnë këto ndryshime, në bazë të transparencës dhe funksionimit të rregullt të tregut.
Institucioni u bën thirrje bizneseve të:
- veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme;
- shmangin bashkërendimin e çmimeve me operatorë të tjerë;
- tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve e konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë zhvillimesh.
Monitorimi zhvillohet në koordinim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës, për të siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi.