Një avion pasagjerësh i kompanisë JetBlue Airways u përfshi në një incident gjatë fazës së afrimit për ulje në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy (JFK) në Nju Jork. Piloti i fluturimit 948, i nisur nga Las Vegasi, raportoi se mjeti u godit nga një dron në një lartësi prej rreth 3,000 këmbësh (afërsisht 1,000 metra) rreth orës 07:15 të së hënës.
Në komunikimet radio, piloti i konfirmoi kullës së kontrollit se goditja kishte ndodhur në pjesën mbi kabinën e pilotit. Pavarësisht raportimit, avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe pasagjerët zbritën pa incidente. Mjeti ajror u tërhoq përkohësisht nga shërbimi për t'iu nënshtruar një kontrolli teknik. Si FAA, ashtu edhe kompania JetBlue, bënë të ditur se pas verifikimeve të kryera nga teknikët, nuk u konstatuan dëme në strukturën e avionit dhe as gjurmë që të dëshmonin përplasjen.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur zyrtarisht një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ky institucion raporton se merr mesatarisht më shumë se 100 raportime çdo muaj për praninë e dronëve pranë aeroporteve. Autoritetet paralajmërojnë se operatorët e dronëve që shkelin hapësirat e ndaluara përballen me gjobë të rënda dhe ndëshkime penale, deri në burgim.
Çështja e sigurisë ndaj mjeteve ajrore pa pilot është bërë prioritet për autoritetet amerikane, veçanërisht gjatë aktiviteteve si Kupa e Botës 2026. Sipas të dhënave të prezantuara nga Andrew Giuliani, zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, deri në mesin e këtij kompeticioni janë detektuar mbi 1,139 drone në zona të ndaluara, ndërsa më shumë se 300 prej tyre janë neutralizuar nga forcat e sigurisë.
Përditësime
Regjistrimet radiofonike të publikuara rishtazi konfirmojnë se piloti i avionit të JetBlue raportoi kontakt fizik me një dron më 29 qershor, duke deklaruar: 'Po, na goditi pak mbi kabinën e pilotit.' Autoritetet amerikane njoftuan një investim prej miliona dollarësh për të forcuar teknologjinë kundër dronëve, në kuadër të masave të sigurisë për Kupën e Botës 2026.