Avokati Gurali Brahimllari, mbrojtës i biznesmenit Pëllumb Gjoka, kundërshtoi kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për thirrjen e 40 dëshmitarëve në dosjen Metamorfoza. Kjo dosje lidhet me krime të rënda, përfshirë vrasjen e Gjin Ndojit, të njohur si Boriçi, më 9 gusht 2020 në Shkodër.
Sipas avokatit Brahimllari, 33 prej 40 dëshmitarëve nuk kanë lidhje me çështjen. Midis tyre përmenden 16 policë, të pyetur në lidhje me një bisht cigareje të gjetur në vendngjarje. Ai vlerëson se kjo listë ka vetëm efekt mediatik dhe krijon iluzionin se SPAK posedon prova të forta, duke zgjatur pa nevojë procedurat gjyqësore.
Akuzat kundër Gjokës
Pëllumb Gjoka u arrestua në korrik 2023 si anëtar i dyshuar i një organizate kriminale. Hetimi filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca. Ndaj tij dhe bashkëpandehurve ngrihen nëntë akuzë për vepra penale, si vrasje, korrupsion aktiv, pastrim parash dhe pengmarrje, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet konkretisht për vrasjen me paramendim të Gjin Ndojit.
Në një pretencë të mëparshme, SPAK kërkoi 14 vite burg për Gjokën dhe 9 vite për ish-shefin e policisë Ardit Hasanbegaj. Nëse shpallen fajtorë, ata përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, që ul dënimin me një të tretën.
Gjoka dhe disa të pandehur të tjerë po gjykohen me procedurë të zakonshme në një dosje tjetër të Metamorfozës për vrasjen e Ndojit. Seanca e radhës u shty për 9 mars 2026.