Babai i Diana Kastratit, Gëzim Kastrati, e mirëpriti ngritjen e aktakuzës në mungesë ndaj ish-partnerit të së bijës, e cila u vra para 15 vjetësh. Megjithatë, ai tha se vazhdon të jetë skeptik për drejtësinë. Dosjen e aktakuzës e ka përgatitur Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në një deklarim për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Kastrati tha se shpreson që rasti të përfundojë me dënimin e merituar për autorin. Ai e cilësoi nisjen e procedurës në mungesë si një nismë të mirë dhe u shpreh se shpreson që raste të tilla të mos përsëriten.
“Është iniciativë e mirë që ka filluar në mungesë. Shpresoj që të marrë një epilog, ashtu siç duhet të jetë. Kryesi ta marrë dënimin e merituar. Uroj që këto raste të mos përsëriten. Për fat të keq, këto raste nuk po ndalen”, tha ai.
I pyetur nëse i janë rritur shpresat për drejtësi, Kastrati tha se ende nuk ka besim të plotë në proces.
“Akoma jam skeptik. Por s’kemi çka të bëjmë tash. Jemi duke jetuar në një vend të tillë dhe, siç po rrjedhin gjërat, akoma nuk ka ndonjë mendim të gjyqësisë që akoma është duke punuar. Akoma jam skeptik, por duhet ta pranoj”, u shpreh ai.
Kastrati tha se familja nuk ishte njoftuar më herët për arsyet e mosngritjes së aktakuzës. Sipas tij, vetëm në telefonatën e fundit ishte njoftuar për pranimin e një shkrese lidhur me gjykimin në mungesë. Ai tha se më parë nuk kishte marrë thirrje apo njoftime.
Seanca për shqyrtimin kryesor të rastit është caktuar të mbahet më 10 nëntor, në orën 09:30. Familja e Dianës nuk ka angazhuar avokat në këtë fazë të procedurës.