Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti në një postim në Facebook për dy takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pa ofruar asnjë propozim apo emër kandidati për president.
Sipas saj, këto takime shërbyen vetëm për të konfirmuar se partitë nuk përkrahin kandidatë partiakë. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), së bashku me minoritetet, ka 66 vota në Kuvend dhe mban përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit.
Bajrami u shpreh se LVV kishte dy alternativa: përfshirja e një partie politike në qeveri për të siguruar votat ose propozimi i një kandidati apartiak. Ajo tha se Kurti nuk e ka bërë të parën dhe nuk po e bën të dytën, duke paralajmëruar se, nëse synon zgjedhjen e presidentit me shantazh, duhet të ripërshtatet, pasi situata nuk do të përsëritet si në 2021.
Ajo vlerësoi se shkuarja në zgjedhje nuk është zgjidhje, sepse do të lërë vendin pa institucione funksionale për muaj të tërë, me shpenzime dhjetëra milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe kthim në të njëjtën pikë.
Bajrami u bëri thirrje qytetarëve të vëzhgojnë sjelljen e Kurtit, duke thënë se ai nuk merret me shqetësimet e tyre si rritja e faturave të energjisë, arsimi, shëndetësia apo migracioni, por synon kontroll të plotë institucional. Ajo shtoi se Kosova nuk duhet të mbetet peng i dy ose tre emrave dhe se ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive, duke kërkuar vullnet e guxim për të vendosur interesin e vendit para atij personal apo partiak.