Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një prononcim për mediat pas daljes nga Kuvendi, ka komentuar zhvillimet lidhur me protestën për zonën e Zvërnecit. Balla deklaroi se në tubim morën pjesë më shumë se 2000 qytetarë, duke e cilësuar atë si një protestë me karakter kombëtar.
Sipas tij, në protestë ishin të pranishëm përfaqësues të Partisë Demokratike, duke përmendur emrin e Sali Lushajt. Duke ironizuar kërkesat e protestuesve, Balla u shpreh: "Protesta nisi për flamingot dhe bufat kanë filluar ta ndjejnë veten si flamingo". Ai shtoi se është kundër çdo thirrjeje antisemite apo diskriminimi dhe se do të japë një qëndrim më të detajuar vetëm pasi të krijohet një përfaqësi zyrtare e protestës.
Në lidhje me pyetjet për deklaratat e deputetit socialist Petro Koçi, i cili kishte kritikuar ministren Belinda Balluku, Balla u distancua duke deklaruar se nuk e kishte lexuar reagimin e tij dhe për rrjedhojë refuzoi të komentojë. Ai u shpreh se "ditë të nxehta me temperaturë dhe secili ka këndvështrime të veta".
Duke iu referuar situatës politike në Fier, Balla shprehu besimin se Partia Socialiste gëzon mbështetje të lartë në këtë qark, duke e cilësuar atë si "kryeqytetin" e kësaj force politike, duke shtuar se rezultatet pozitive do të vazhdojnë.