Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj për lirimin e Vlora Hysenit nga posti i drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror. Reagimi vjen pas njoftimit për masën e sigurisë "arrest në shtëpi" të lëshuar nga SPAK ndaj saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaroi se shumica qeverisëse mbetet besnike ndaj qëndrimit të saj për të mos ndërhyrë dhe për të mos komentuar çështjet që janë objekt shqyrtimi nga drejtësia. Sipas tij, përballja me ligjin është një përgjegjësi personale.
"Shumica jonë qeverisëse i mbetet besnike qëndrimit standard për të mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë. Kushdo qoftë duhet të përballet personalisht me drejtësinë dhe të marrë avokatin e vet. Partia Socialiste, pra shumica qeverisëse e këtij vendi, nuk bën avokatin e askujt", theksoi Balla.
Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, shkarkimi i Vlora Hysenit nga detyra, ashtu siç u njoftua menjëherë nga Kryeministri Edi Rama, u realizua për t'i hapur rrugë emërimit të një drejtuesi të ri në krye të SHISH-it.
Përditësime
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi zyrtarisht shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së SHISH. Ky akt formalizoi vendimin e ekzekutivit për largimin e saj, ndërsa ndaj saj rëndon masa e sigurisë 'arrest në shtëpi' e vendosur nga SPAK.