Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, nënkryetar i Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes në Kuvendin e Shqipërisë, zhvilloi një takim me Brett Leatherman, drejtor i Divizionit Kundër Krimit Kibernetik në Byronë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara. Takimi u mbajt në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Balliu e informoi zyrtarin amerikan për shqetësimet në lidhje me situatën e sigurisë kibernetike në Shqipëri. Ai theksoi implikimin e krimit të organizuar në segmentet e sigurisë kibernetike, duke iu referuar skandalit të AKSHI-t dhe Drejtorisë së Krimit Kibernetik në lidhje me Ergys Agasin.
Sipas deklaratës së tij, përmes manipulimit të tenderave publikë dhe kapjes së sistemeve dixhitale, subjekte të lidhura me kartelet e drogës kanë përfituar. Këto veprime rrezikojnë ekonominë, sigurinë kombëtare dhe proceset demokratike.
Reagimi i Balliut
Në një postim në rrjetet sociale, Klevis Balliu shprehu kënaqësi për takimin me Brett Leatherman. Ai deklaroi se e kishte informuar për lidhjet e dyshuara të elementëve të krimit të organizuar me struktura brenda Drejtorisë së Krimit Kibernetik dhe për skandalin e AKSHI-t.
Balliu theksoi se opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet e krimit me politikën dhe do të luftrojë për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ai shtoi se opozita shqiptare mbështet plotësisht SHBA-në dhe luftën e saj kundër karteleve.
Lufta kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave kërkon, sipas tij, bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë. Mbështetja dhe ekspertiza e SHBA-së janë jetike për të garantuar institucione të sigurta dhe funksionale për qytetarët shqiptarë.